Të dy ishin anëtarë të një elite ushtarake të specializuar,
të devotshëm ndaj prijësit të tyre dhe mbrojtës të feudeve të tij. Jo vetëm.
Kalorësit dhe samurajët kishin të përbashkët edhe disiplinën e hekurt, kodin e
ngurtë të nderit, bensikërinë dhe mjeshtërinë në përdorimin e armëve
Armaturat e tyre mbrojnë robotët e filmave vizatimorë
japonezë, Mazinga Z në krye. Dhe kodi i tyre i ashpër i sjelljes ndikon edhe
sot perandoritë e mëdha industriale japoneze. Janë samurajët, ai “grusht njerëzish
kurajozë që kanë krijuar Japoninë, luftëtarë të gatshëm të jepnin jetën për një
fjalë që tashmë duket e harruar: nderin”. Në këtë definicion plot pasion, marrë
nga filmi Samuraji i Fundit, përmbahen të gjithë përbërësit e samurajëve.
Feudalë
Ashtu si kalorësit europianë shoqëruan lindjen e kombeve të
Mesjetës, samurajët ndoqën hap pas hapi historinë e Japonisë. Të dy ishin
anëtarë të një elite ushtarake të specializuar, të devotshëm ndaj prijësit të
tyre dhe mbrojtës të feudeve të tij. Jo vetëm. Kalorësit dhe samurajët kishin
të përbashkët edhe disiplinën e hekurt, kodin e ngurtë të nderit, bensikërisë
dhe mjeshtërisë në përdorimin e armëve.
Të lindur si shërbyes besnikë të fisnikërisë së lashtë
japoneze, samurajët (nga saburau “të shërbesh”) e nisën ngjitjen e tyre në
shekullin VII falë një reforme të madhe, e quajtur Taika: një kthesë e
frymëzuar nga moeli kinez, që për t’i dhënë fund luftërave mes fiseve i dha
pushtet të madh perandorit, transformoi zotërinjtë lokalë në dinjitarë të
oborrit dhe samurajët në administratorë të aftë të feudeve të padronëve të
tyre.
Si mbreti Artur
“Babai i të gjithë samurajëve” ishte gjysmëlegjendari Yamato
Takeru, një mbret artur japonez bëmat e të cilit janë të rrëfyera në poemën
epike Koijiki (“Kujtime të ngjarjeve të lashta”) shkruar në fillim të shekullit
VIII. Nuk dihet nëse luftëtari, i hyrë në legjendë si model i kalorësit kurajoz
dhe pa njollë që kontribuoi për bashkimin e Japonisë perandorake, ka ekzistuar
vërtetë. Megjithatë, emri i tij u bë simbol i bushidos, kodi i sjelljes i
samurajëve. “Shprehja bushido buron nga bushi, luftëtar, dhe do, që do të thotë
“udhë”, shpjegon Roberto Granati, studiues ia rteve marcialë dhe historisë
ushtarake japoneze. “Udha e luftëtarit ishte një filozofi. Një sistem jete dhe
një përmbledhje rregullash të frymëzuara nga parimet e mëshirës, të besnikërisë
dhe të përcmimit të vdekjes”.
Besnikëria ndaj padronit u bë një prej vlerave parësore të
edukimit të samurajëve. Lidhja e varësisë ishte kaq e fortë saqë në shekullin X
ceremonia e vënies në post mes vasalëve dhe padronit parashikonte një betim, të
mbiskruar në një rrotull që pasi lexohej digjej dhe tretej në ujë, që më pas
samuraji e pinte. Një pakt që zgjaste deri në vdekje të njërit prej tyre, por
edhe më tej: betimi parashikonte që të gjithë samurajët e një klani, në shenjë
besnikërie, mund të vendosnin të vetëvriteshin dhe të ndiqnin padronin në jetën
e përtejme, sipas ritualit të quajtur junshi. Kjo praktikë u nxor jashtë ligjit
në 1663; gjë që nuk e pengoi gjeneralin Nogi Maresuke, që në 1912 të ndiqte
fatin e perandorit të tij. Duke lënë një epitaf që kujtonte një maksimë të
lashtë të bushido: “Një samuraj nuk ka dy padronë”.
“Raste vetëvrasjesh kolektive u vërejtën edhe pas Luftës së
Dytë Botërore mes oficerëve që nuk pranoni dorëzimin, përvec fenomenit të
aviatorëve kamikazë”, shpjegon Granati. “Por mes parimeve të bushido ishte edhe
përcmimi për armikun e dorëzuar, që provokonte dhunën brutale të japonezëve
ndaj të burgosurve të Luftës së Dytë.
Luftëtarë dhe poetë
Një prej vetëvrasjeve të para për të cilën flasin kronikat
japoneze ishte ajo e luftëtarit poet: Minamoto no Yorimasa, që jetoi në
shekullin XII. Ishte ai që futi zakonin e lënies së poezisë së lamtumirës: E
tija thoshte: “Si një pemë e tharë prej të cilës nuk celin më lule, e trishtë
ishte jeta ime, e dënuar të mos jepte frute”.
Për t’u vetëvrarë, zakonisht samurajët ndiqnin ritualin e
harakirit, që përkthehet “shkatërrim”. Për japonezët, barku (hara) ishte vendi
i shpirtit, kështu që shkatërrimi nënkuptonte simbolikisht që nuk kishte faje
për të fshehur. Prerja bëhej me thikën tradicionale, duke e carë barkun nga e
majta në të djathtë e pastaj lart në drejtim të zemrës, duke qëndruar në gjunjë
për të mos lejuar vendosjen e trupit në mënyrë të turpshme gjatë agonisë së
vdekjes. Më solemn se sa harakiri, sepukku bënte të nevojshëm një kaishakunin,
një shok i përzgjedhur që i priste kokën samurajit përpara se fytyra e këtij të
prishej nga dhimbjet. Edhe gratë e kastës së samurajëve kishin një ceremoni të
tyren, jigai, që parashikonte prerjen e fytit dhe lidhjen e këmbëve.
Strategë
“Luftëtarët e nderit” ishin edhe mjeshtra të aftë të
strategjisë ushtarake. Takeda Shingen, që ka jetuar në shekullin XVI,
revolucionarizoi teknikat e luftës: jo vetëm përfshiu ashigarutë mes
samurajëve, luftëtarë që luftonin në këmbë dhe jo me kuaj, por përfshiu edhe
mundësitë e mëdha të armëve të zjarrit që shumë samurajë i konsideronin rrezik
ndaj vlerave tradicionale. Motoja e vendosur në cadrën e tij, e huazuar nga
arti i luftës i Sun Tzu, sintetizonte filozofinë e tij: “I shpejtë si era, i
ngadaltë si një pyll, sulmo dhe shkatërro si zjarr, qëndro i palëkundur si
mali”.
Tre pasardhësit e Shingen nuk hynë në histori për ashpërsinë
e tyre. U quajtën respektivisht “Ai që korri orizin, Ai që bëri përzierjen dhe
Ai që hëngri tortën”. “Oda Nobunaga, Toyotomi Hideyoshi dhe Togukava Ieyasu
bashkuan Japoninë nën shenjën e samurajëve, por në vend të modestisë,
thjeshtësisë dhe dhimbsurisë që pritej nga këta shërbyer besnikë të perandorit,
preferuan mizorinë, madhështinë dhe etjen për pushtet”, shpejgon Roberto
Granati. Nëse Toyotomi Hideyoshi meritoi nofkën Napoleoni i Japonisë për
karrierën e tij të shpejtë nga këmbësor në gjeneral, Togukava Leyasu ua hapi
për herë të parë portat në kastën luftëtare dy perëndimorëve: marinarit anglez
Uilliam Adams, të cilit i dha titullin prestigjoz hatamoto, një feud, një
bashkëshoprte dhe një të ardhur 250 koku, dhe shokut të tij holandez Jan
Joosten van Lodenstejin, të cilit i dha një banesë brenda mureve të kryeqytetit
që ndërkohë ishte transferuar në Edo (sot Tokio). Nën dominimin e tij filloi e
ashtuquajtura periudhë Edo “apo e paqes së madhe” që vazhdoi deri në shekullin
XIX: torta që hëngri Ieyasu ishte arkipelagu japonez.
Paqja e madhe
Samurajët pa patur më luftëra për të luftuar, u bënë
thjeshtë administratorë të tokave të zotërve të tyre. Shumë prej tyre mbetën
dhe pa padronë, duke iu kushtuar studimit dhe mësimit të arteve marciale. Tani
mund ta shfaqnin vetëm në duele aftësinë e tyre. Ishte koha e shpatarit
legjendar, strateg dhe gjysmë brigant Miyamoto Musashi, kuintesenca e roninëve.
Quheshin kështu samurajët pa zot ë përshkonin Japoninë në kërkim të aventurve
dhe fatit. Për të thuhej se nuk kishte humbur asnjëherë një duel, falë edhe
strategjive të luftimit të përmbledhura në Librin e pesë unazave, manuali i tij
i strategjisë ushtarake. Një traktat që sot është mes librave më të lexuar nga
menaxherët e rinj japonezë, bashkë me Artin e Luftës të Sun Tzu.
Konteksti
Feudalizmi në Japoni, ashtu si edhe në Evropë, ishte
rezultati i luftërave shekullore të vazhdueshme midis lordëve ruralë. Në
fillimet e periudhës feudale, luftëtarë kalorës, ndesheshin për kontrollin e
tokave dhe pushtetit. Samurai-t ishin me gjak fisnik të klaneve të hershme të
Japonisë ose të paktën kështu pretendohej. Samurai-t dalloheshin nga katanat
dhe masamunet e tyre (lloj shpatash në Japoni). Ndër luftërat e shumta, më
1192, Yoritomo Minamoto, fitoi për herë të parë titullin Shogun. Titulli atij
do i jepej nga Perandori i atëhershëm dhe simbolizonte udhëheqësin ushtarak.
Pikërisht në kohën e këtij shoguni, Yoritomo-s, feudalizmi filloi të gdhendej
ngadalë në shoqërinë japoneze. Perandori qëndroi në pushtet dhe gëzonte respekt
por ai e humbi të gjithë pushtetin politik, duke u kthyer në një shërbyes
suprem fetar. Ndërkohë, shoguni mblodhi rreth vetes të gjithë pushtetin.
Shoguni kontrollonte të gjithë aspektet jetësore në vend, si administrimin e
taksave, hartimin dhe vendosjen e ligjeve, si edhe gëzonte kontroll të plotë
mbi samurait, që i ishin betuar atij për bindje. Ndër samurait më të spikatur
ishin Daimjot. Këta të fundit ishin pronarë të mëdhenj tokash me të drejta të
pakufizuara, dhe ashtu si në Evropë, ata pranonin ti jepnin tokat e tyre
samurai-ve të vegjël në këmbim të besnikërisë së tyre dhe shërbimit ushtarak.
Në se samurait zhgënjenin ose tradhtonin zotin e tyre ose
thjeshtë thyenin këtë kod, duhet të kryenin një rit vetëvrasje të emëruar
Harakiri (ose Sepuku). Në se ata i frikësoheshin vdekjes, atëherë ata mund të degradonin
deri në statusin e Ronin; ata samurai nuk ishin më të mirëpritur në rradhët e
shoqërisë japoneze. Me ushtritë e tyre të kryesuar nga samurait, Daimjot
luftuan midis njëri-tjetrit për pushtet. Luftrat e tyre ndodhnin pasi Daimjot
ishin shumë pak të varur ndaj Shogunit. Poshtë samurai- ve qëndronin artizanët,
zejtarët dhe fshatarët.
Tregtarët nuk konsideroheshin shumë në shoqëri, edhe pse
këta filluan të pasuroheshin dhe si rrjedhim të zinin ngadalë vendin e tyre në
shoqëri. Një vend në shoqërinë feudale japoneze zinin gjithashtu edhe Ninxhat.
Këta u formuan si klasë më vete gjatë shekullit të XIV. Me stilin e tyre
origjinal Ninxhatsu, ninxhat stërviteshin në artet marciale në vende të
caktuara. Ata ishin mercenarë të mirëfilltë; punësoheshin zakonisht për të
spiunuar ose për të vrarë. Çdo ninxha ishte pjesëtar i një grupi ninxhash, dhe
përgjigjej vetëm përpara grupit të tij. Sot, jo rrallë herë në filma tregohet
një pamje krejt tjetër e tyre duke ngatërruar realitetin me legjendën.
Karakteristikë e tyre ishte veshja e zezë; maska mbulonte pjesën më të madhe të
fytyrës. Janë të dyshimta cilësitë e tyre morale ose në se ndiqnin ndonjë kod
si të Boshido-s.